Më shumë se 100 ditë pasi bombat e Izraelit dhe SHBA-së filluan të binin në Iran, të dy palët pretendojnë fitoren, një shenjë për të treguar se sa shumë donin secila prej tyre të dilnin nga kjo gjë.
Një marrëveshje i ka dhënë fund luftimeve, por negociatat më të vështira sapo kanë nisur. Secila palë ia ka shitur marrëveshjen publikut të tyre si një fitore, por sipas analistëve, asnjë prej tyre nuk është bindur realisht dhe kritikat e brendshme nuk kanë munguar.
Kundërshtarët politikë si në Uashington ashtu edhe në Teheran argumentojnë se janë bërë lëshime të tepërta dhe se rezultati final nuk përfaqëson një fitore të qartë për askënd.
Për Iranin, rëndësia e marrëveshjes shkon përtej armëpushimit. Autoritetet iraniane e konsiderojnë atë një mundësi për të treguar se Republika Islamike ka përballuar presionin ushtarak dhe politik pa u dorëzuar, duke ruajtur strukturat shtetërore dhe kapacitetin për të negociuar nga një pozicion relativisht i fortë.
Dokumenti i mirëkuptimit (MOU), i firmosur veçmas nga presidenti amerikan Donald Trump dhe presidenti iranian Masoud Pezeshkian, parashikon një periudhë 60-ditore negociatash për programin bërthamor iranian. Në të njëjtën kohë, ai sanksionon ndërprerjen e menjëhershme të veprimeve ushtarake, respektimin reciprok të sovranitetit, rihapjen e Ngushticës së Hormuzit dhe heqjen e bllokadës detare amerikane ndaj anijeve iraniane.
Nga ana tjetër, Trump e ka cilësuar marrëveshjen si një fitore të rëndësishme për SHBA-në, duke argumentuar se ajo i shërben objektivit kryesor të administratës së tij: pengimin e Iranit për të siguruar armë bërthamore.
Megjithatë, përfitimi më i menjëhershëm për Uashingtonin lidhet me ekonominë globale. Rihapja e Ngushticës së Hormuzit pritet të lehtësojë tregjet energjetike dhe të ulë presionin mbi çmimet e karburanteve, një çështje që kishte filluar të shqetësonte seriozisht opinionin publik amerikan.
Gjatë muajve të konfliktit, sondazhet tregonin një rritje të pakënaqësisë mes qytetarëve amerikanë, të cilët e lidhnin luftën me kostot më të larta të jetesës dhe pasigurinë ekonomike. Kjo situatë kishte krijuar vështirësi politike për Trumpin dhe Partinë Republikane, veçanërisht në prag të zgjedhjeve të ardhshme.
Në këtë kontekst, marrëveshja i jep presidentit amerikan mundësinë të paraqitet si lideri që shmangu një konflikt të gjatë dhe të kushtueshëm, duke i dhënë fund përplasjes përmes negociatave dhe jo përmes një lufte pa afat.
