Një aksident i rëndë është regjistruar ditën e sotme në zonën e Neapolit, në Selanik, ku dy autobusë janë përplasur me njëri-tjetrin.

Pas përplasjes, njëri prej autobusëve ka dalë nga rruga dhe është përplasur me një stacion autobusi aty pranë. Si pasojë, katër gra kanë mbetur të plagosura dhe janë dërguar në spital për ndihmë mjekësore.

Gjendja më e rënduar paraqitet për një 21-vjeçare, e cila ka marrë dëmtime në kokë dhe në legen dhe, sipas mediave greke, pritet t’i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale.

Tre të plagosurat e tjera janë 17, 50 dhe 62 vjeç. Ato kanë pësuar dëmtime të lehta, të cilat nuk kërkojnë ndërhyrje kirurgjikale, por do të qëndrojnë të shtruara në klinikën kirurgjikale për monitorim.

Autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat dhe shkakun e aksidentit.