Donald Trump ka komentuar zhvillimet e fundit lidhur me tensionet në Lindjen e Mesme dhe rolin e SHBA-së, gjatë një deklarate për mediat pas mbledhjes së kabinetit.

I pyetur për situatën në Ngushticën e Hormuzit, Trump u shpreh se një “shkatërrim 99%” i saj nga SHBA-ja nuk do të ishte zgjidhje e mirë, pasi, sipas tij, anijet do të mbeteshin ende të rrezikuara. Megjithatë, ai shtoi se pret që situata të stabilizohet shpejt.

Duke folur për Iran, Trump deklaroi se arsyeja pse Teherani po kërkon një marrëveshje paqeje është sepse, sipas tij, vendi është “goditur rëndë”.

Në përgjigje të një pyetjeje tjetër mbi mundësinë e marrjes nën kontroll të naftës iraniane, ai nuk e përjashtoi këtë skenar, duke u shprehur se “është një mundësi”.

Sa i përket rëndësisë së Ngushticës së Hormuzit për SHBA-në, Trump theksoi se vendi i tij nuk varet nga ajo, duke nënvizuar se Shtetet e Bashkuara kanë burime të mëdha energjetike dhe prodhim të lartë të naftës.