Italia po shtrëngon rregullat për përdorimin e skuterëve elektrikë. Duke nisur nga data 16 maj, të gjitha mjetet e këtij lloji do të duhet të pajisen detyrimisht me targë identifikuese, sipas një dekreti të Ministrisë së Infrastrukturës të publikuar në Gazetën Zyrtare italiane.
Masa synon të vendosë një sistem unik identifikimi për çdo skuter elektrik, me qëllim frenimin e vjedhjeve, përdorimit të paligjshëm dhe qarkullimit pa kontroll në rrugë. Targat do të jenë të plastifikuara dhe të detyrueshme për të gjithë përdoruesit.
Ndërkohë, një tjetër ndryshim i rëndësishëm do të hyjë në fuqi më 16 korrik: siguracioni për skuterët elektrikë do të bëhet gjithashtu i detyrueshëm. Autoritetet italiane kanë lënë një periudhë tranzitore prej dy muajsh për zbatimin e kësaj mase.
Sipas rregullave të reja, kush kapet duke qarkulluar pa targë rrezikon gjobë administrative nga 100 deri në 400 euro. Gjoba mund të reduktohet nëse pagesa kryhet brenda pesë ditëve nga momenti i konstatimit të shkeljes.
Vendimi vjen në një moment kur siguria e përdorimit të skuterëve elektrikë është rikthyer në qendër të debatit publik në Itali. Vetëm së fundmi, një çift turistësh amerikanë humbi jetën tragjikisht në zonën e Agrigento gjatë udhëtimit të tyre të muajit të mjaltit.
Viktimat, Elisabeth Graham dhe Luke Alan Lionverger, të dy 24 vjeç, po udhëtonin nëpër Sicili me një skuter të marrë me qira, pasi kishin vizituar më herët Venice dhe Palermo. Sipas mediave italiane, ata u përfshinë në një aksident fatal pas përplasjes me një automjet.
Ngjarja është konsideruar nga autoritetet si një tjetër alarm për rreziqet që lidhen me përdorimin e skuterëve elektrikë, sidomos në mungesë të masave të sigurisë si helmetat, identifikimi i mjeteve dhe rregullat më të forta për përdoruesit.
