Një sulm i armatosur ka tronditur Mersin, ku katër persona kanë humbur jetën dhe tetë të tjerë janë plagosur pas të shtënave të raportuara në disa zona të provincës.

Sipas mediave turke, ngjarja nisi brenda një restoranti, ku një person i armatosur hapi zjarr ndaj personave që ndodheshin aty. I dyshuari raportohet të jetë një 37-vjeçar, i cili më pas u largua nga vendngjarja me automjet.

Autoritetet turke kanë nisur një operacion të gjerë policor për lokalizimin dhe arrestimin e autorit të dyshuar.

Raportimet paraprake bëjnë me dije se dy nga viktimat ishin pronari i restorantit dhe një punonjës i tij. Pas largimit nga restoranti, autori dyshohet se ka vijuar të qëllojë edhe në zona të tjera, duke vrarë një bari që kulloste delet dhe një shofer kamioni.

Policia po vijon hetimet për zbardhjen e plotë të motiveve dhe rrethanave të sulmit.