Një sulm i përgjakshëm me armë zjarri ka tronditur zonën e Clevelandit, në lindje të Johanesburgut, ku të paktën 12 persona kanë humbur jetën dhe 9 të tjerë kanë mbetur të plagosur.
Sipas autoriteteve, 11 viktima u gjetën të pajeta në vendngjarje, ndërsa një person tjetër ndërroi jetë më vonë në spital për shkak të plagëve të marra. Mes viktimave janë tetë burra dhe tre gra, ndërsa identitetet e tyre nuk janë bërë ende publike.
Hetimet paraprake tregojnë se më shumë se dhjetë persona të armatosur mbërritën në zonë me një furgon të bardhë tip Toyota Quantum. Të dyshuarit u shpërndanë në drejtime të ndryshme brenda vendbanimit informal dhe hapën zjarr ndaj banorëve në disa pika të lagjes, duke shkaktuar bilancin tragjik.
Pas sulmit, autorët u larguan nga vendi i ngjarjes me të njëjtin automjet, ndërsa policia dhe ekipet e emergjencës mbërritën menjëherë për t’u ardhur në ndihmë të plagosurve dhe për të nisur hetimet.
Deri më tani, motivet e sulmit mbeten të paqarta dhe nuk është raportuar për persona të arrestuar. Autoritetet kanë nisur një operacion të gjerë për identifikimin dhe kapjen e autorëve, ndërsa u kanë bërë thirrje qytetarëve të japin çdo informacion që mund të ndihmojë në zbardhjen e kësaj ngjarjeje të rëndë.
