Një sulm me armë zjarri në një bibliotekë në Kaliforninë Veriore ka përfunduar tragjikisht me dy viktima dhe një fëmijë të plagosur lehtë, ndërsa autori i dyshuar është vënë në pranga nga policia.

Ngjarja ndodhi pasditen e së shtunës në Bibliotekën e Qarkut Butte, në qytetin Chico, ku autoritetet morën disa telefonata emergjente për të shtëna dhe njerëz që bërtisnin brenda ndërtesës.

Sipas shefit të Policisë së Chico-s, Billy Aldridge, forcat e rendit ndërhynë menjëherë në vendngjarje. I dyshuari tentoi të largohej nga pjesa e pasme e bibliotekës, por u arrestua pak çaste më vonë nga policët që kishin rrethuar zonën.

“Është një ngjarje jashtëzakonisht e rëndë dhe tronditëse për komunitetin tonë”, deklaroi Aldridge gjatë konferencës për mediat.

Autoritetet konfirmuan se dy persona humbën jetën nga sulmi, ndërsa një fëmijë u dërgua në spital me plagë të lehta. Emrat e viktimave nuk janë bërë ende publikë, pasi familjarët e tyre nuk janë njoftuar zyrtarisht.

Hetuesit nuk kanë dhënë ende informacione mbi motivin e sulmit apo identitetin e autorit, por dyshohet se ai ka vepruar i vetëm.

Ndërkohë, autoritetet lokale u kanë kërkuar qytetarëve të shmangin zonën përreth bibliotekës, ndërsa të gjitha degët e saj do të qëndrojnë të mbyllura deri në përfundimin e hetimeve.