Tre persona kanë humbur jetën dhe disa të tjerë kanë mbetur të plagosur, mes tyre edhe një fëmijë 2 vjeç, pas një sulmi me armë zjarri gjatë festivalit të njohur të ushqimit “Bite of Seattle”, pranë kullës ikonike “Space Needle” në Seattle të SHBA-së.
Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së dielës, rreth orës 18:00, kur sipas policisë dy persona dyshohet se nisën të qëllonin ndaj njëri-tjetrit mes turmës së vizitorëve, duke shkaktuar panik. Qindra njerëz u larguan me vrap nga vendi i ngjarjes, ndërsa pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë njerëz që rrëzojnë gardhet për t’i shpëtuar të shtënave.
Dy viktima u shpallën të vdekura në vendngjarje, ndërsa katër persona, përfshirë një djalë 2-vjeçar, u transportuan në spital. Më vonë, një tjetër i plagosur u paraqit në një spital tjetër me plagë nga arma e zjarrit. Një prej të plagosurve nuk arriti t’u mbijetojë plagëve, duke e çuar bilancin e viktimave në tre.
Policia ka arrestuar një të dyshuar, të përshkruar vetëm si një “person i ri në moshë”, ndërsa vijon kërkimet për një person të dytë që dyshohet se është përfshirë në të shtënat. Autoritetet kanë bërë të ditur se në vendngjarje janë sekuestruar dy armë zjarri dhe se nuk ka më rrezik për komunitetin. Motivi i përplasjes mbetet ende i paqartë, ndërsa hetimet janë në vijim.
