Pesë persona kanë humbur jetën dhe të paktën nëntë të tjerë janë plagosur rëndë në një sulm të armatosur të ndodhur në veriperëndim të Jeruzalemit, në afërsi të një stacioni autobusi në kryqëzimin Ramot.

Lajmi u konfirmua nga autoritetet izraelite, të cilat theksojnë se sulmi është kryer nga dy persona të armatosur palestinezë.

Sipas Shërbimit të Urgjencës Magen David Adom, viktimat përfshijnë tre burra në të 30-at, si dhe një grua dhe një burrë në të 50-at. Nëntë persona me plagë nga armët e zjarrit janë transportuar në spitalet lokale, ndërsa tre të tjerë kanë pësuar lëndime nga thyerjet e xhamit.

Policia izraelite njoftoi se dy sulmuesit hapën zjarr ndaj qytetarëve në stacionin e autobusëve, por u “neutralizuan” nga një oficer sigurie dhe një civil që ishin në vendngjarje. Aktualisht nuk ka një grup që ka marrë përgjegjësinë për sulmin, megjithëse Hamasi ka reaguar duke e përshëndetur atë.

Forcat izraelite të sigurisë kanë rrethuar zonën dhe po kryejnë hetime, ndërsa njësitë e çminimit dhe ekipet e kriminalistikës po punojnë për mbledhjen e provave dhe garantimin e sigurisë publike.

Ngjarja vjen në një periudhë të tensionuar në rajon dhe pritet të ndikojë në rritjen e masave të sigurisë në qytet.