Një sulm me armë zjarri ka shkaktuar një bilanc të rëndë viktimash në Afrikën e Jugut. Shtatëmbëdhjetë persona kanë humbur jetën, ndërsa 15 të tjerë kanë mbetur të plagosur pasi një grup personash të armatosur hapi zjarr në një lokal në zonën e Johanesburgut.
Ngjarja u regjistrua mbrëmjen e së shtunës në Wendela, në provincën Gauteng. Sipas të dhënave të bëra publike nga policia, tetë persona të armatosur hynë në ambientet e lokalit dhe nisën të qëllonin ndaj personave që ndodheshin brenda.
Autoritetet dyshojnë se agresorët përdorën armë automatike të tipit AK-47, si dhe pistoleta. Të shtënat lanë pas 17 viktima, mes të cilave edhe tre gra. Ekipet e emergjencës që mbërritën në vendngjarje konstatuan vdekjen e tyre brenda ambienteve të lokalit.
Ndërkohë, 15 persona të tjerë pësuan plagë dhe u dërguan në spitale për trajtim mjekësor.
Pas sulmit, autorët u larguan nga vendngjarja. Policia ka nisur kërkimet për identifikimin dhe arrestimin e tetë personave që dyshohet se morën pjesë në ngjarje.
Deri në këtë fazë të hetimeve nuk është bërë i ditur motivi që mund të ketë çuar në sulmin e armatosur.
