Një ngjarje tragjike ka tronditur Tajlandën, ku një nxënës dyshohet se vrau fillimisht dy gjyshërit e tij dhe më pas hapi zjarr në shkollën ku studionte, duke shkaktuar viktima dhe dhjetëra të plagosur.
Sipas autoriteteve, i riu shkoi fillimisht në banesën e gjyshërve, ku i vrau ata, më pas mori armën e regjistruar në emër të gjyshit, një ish-mësues, dhe u drejtua për në shkollën e tij në periferi të Bangkokut.
Policia bëri të ditur se autori qëlloi 26 fishekë gjatë sulmit, ndërsa në vendngjarje u sekuestruan edhe 34 fishekë të tjerë.
Ministria tajlandeze e Shëndetësisë njoftoi se nga sulmi mbetën të plagosur 22 persona, nga të cilët nëntë ndodhen në gjendje kritike. Disa prej të lënduarve nuk janë goditur nga plumbat, por janë plagosur gjatë përpjekjeve për t’u larguar mes panikut.
Zëvendësministri i Brendshëm konfirmoi se pesë mësues humbën jetën nga sulmi, duke përditësuar bilancin paraprak që raportonte gjashtë viktima.
Ndërkohë, policia vijon hetimet për të zbardhur motivin e ngjarjes. Zëdhënësi i policisë, Trairong Phiwphan, deklaroi se arma e përdorur besohet se i ishte marrë një anëtari të familjes së autorit, ndërsa hetimet për rrethanat e plota të sulmit vazhdojnë.
