Një ngjarje e rëndë me armë zjarri ka tronditur provincën e Afyonkarahisarit në Turqi, ku tetë persona kanë humbur jetën dhe një tjetër ka mbetur i plagosur rëndë. Autori i dyshuar është ende në kërkim, ndërsa autoritetet kanë angazhuar forca të shumta policore për kapjen e tij.
Sipas informacioneve paraprake, personi i armatosur dyshohet se ndalonte automjete në mënyrë rastësore në rrugë dhe qëllonte me armë ndaj personave që ndodheshin brenda tyre. Mes viktimave raportohet se janë edhe dy mësuese.
Ngjarja u zbulua pasi forcat e sigurisë gjetën trupat e pesë personave në dy automjete të ndryshme, në zonat rurale të Ayazini dhe Kıyır.
Hetimet zbuluan më tej se autori i dyshuar ishte larguar nga vendet e para të sulmit dhe kishte vijuar lëvizjen drejt një zone tjetër, ku dyshohet se vrau edhe dy persona të tjerë me një pushkë gjahu.
Prefektura e Afyonkarahisarit konfirmoi zyrtarisht bilancin tragjik prej tetë viktimash dhe një personi të plagosur rëndë.
Ndërkohë, operacioni për lokalizimin dhe arrestimin e të dyshuarit vijon, ndërsa autoritetet turke po punojnë për të zbardhur plotësisht dinamikën e ngjarjes dhe motivet e sulmeve.
