Autoritetet greke po vijojnë hetimet për zbardhjen e vrasjes së Giannis Lalas, i njohur me nofkën “Kuzhinieri”, i cili më herët ishte akuzuar për vrasjen e gazetarit Giorgos Karaivaz, por ishte liruar për mungesë provash.

Sipas vlerësimeve të para hetimore, bëhet fjalë për një tjetër ekzekutim mafioz, të lidhur me luftën e brendshme mes grupeve kriminale në Greqi.

Ngjarja ka ndodhur në Arachova, ku 41-vjeçari ndodhej në ballkonin e një hoteli, së bashku me një grua, ndërsa po përgatiteshin për darkë. Ai kishte veshur pantallona të shkurtra të zeza, kur autorët që e kishin ndjekur prej kohësh hapën zjarr me kallashnikov. Lalas u qëllua me disa plumba në trup dhe ra i vdekur në vend, i mbuluar nga gjaku. Hetuesit besojnë se autorët kishin njohuri të detajuar për zonën dhe vendndodhjen e tij.

Kjo nuk ishte hera e parë që Lalas ishte në shënjestër. Në maj të vitit të kaluar, ndaj tij ishte kryer një tjetër atentat pranë banesës së tij në Ano Liosia. Ai njihej si krahu i djathtë i “Edikut”, kreut të mafies së cigareve që kërkohet ende nga policia.

Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur forcat speciale të repartit të zhvatjes, të cilat po kryejnë hetime, mbledhje provash dhe autopsi paraprake. Pak larg vendit të ekzekutimit, policia ka gjetur edhe një xhip të djegur, që dyshohet se është përdorur nga autorët e krimit.