Një sulm i përgjakshëm me armë zjarri ka tronditur qytetin e Krakovës në Poloni, ku të paktën gjashtë persona kanë humbur jetën dhe 15 të tjerë kanë mbetur të plagosur. Ngjarja e rëndë ndodhi pasditen e së shtunës, më 7 nëntor, në Sheshin Kryesor të Tregut, një nga zonat më të frekuentuara turistike të qytetit.

Sipas autoriteteve polake, autori i dyshuar është një 24-vjeçar me shtetësi polake, i cili ka hyrë me automjet në zonën historike dhe ka hapur zjarr në mënyrë të rastësishme ndaj qytetarëve që ndodheshin në shesh.

Të shtënat nisën rreth orës 15:00, duke shkaktuar panik mes kalimtarëve dhe turistëve. Dëshmitarët kanë përshkruar skena kaotike, ndërsa dhjetëra persona janë larguar me vrap për t’u strehuar në rrugicat, lokalet dhe ndërtesat përreth.

Bilanci fillestar ishte pesë viktima, por autoritetet e rajonit Małopolska konfirmuan më vonë se numri i të vdekurve kishte shkuar në gjashtë. Mes viktimave janë katër gra dhe dy burra.

Nga 15 personat e plagosur, dy janë efektivë policie, njëri prej të cilëve ndodhet në gjendje të rëndë. Sipas raportimeve, disa prej të plagosurve të tjerë janë gjithashtu në gjendje kritike.

Forcat e policisë ndërhynë menjëherë për të neutralizuar agresorin, i cili shkëmbeu zjarr me efektivët në një zonë pranë vendit ku kishte nisur sulmi. Gjatë përplasjes, 24-vjeçari u plagos nga policia dhe më pas u arrestua e u transportua në spital.

Zëdhënësja e policisë së Krakovës, Katarzyna Cisło, bëri të ditur se autori mbante veshje të stilit ushtarak dhe një jelek antiplumb. Ai dyshohet se përdori një armë të gjatë të tipit ushtarak, ndërsa gjatë kontrollit të automjetit u zbuluan armë të tjera dhe municione.

Autoritetet kanë sqaruar se sulmuesi veproi i vetëm, duke hedhur poshtë raportimet fillestare për përfshirjen e një personi të dytë.

Në vendngjarje mbërritën dhjetëra efektivë policie, ambulanca dhe ekipe të specializuara të emergjencës. Për transportimin e të plagosurve u angazhua edhe një helikopter mjekësor.

Ngjarja ka shkaktuar reagime të menjëhershme në nivelin më të lartë shtetëror. Kryeministri polak Donald Tusk deklaroi se po ndiqte nga afër zhvillimet dhe më pas u nis drejt Krakovës.

Edhe presidenti Karol Nawrocki shprehu ngushëllimet për familjarët e viktimave, ndërsa ministri i Brendshëm, Marcin Kierwiński, vlerësoi ndërhyrjen e policisë, duke theksuar se efektivët rrezikuan jetën për të ndaluar agresorin.

Motivi i sulmit mbetet ende i panjohur. Hetuesit po analizojnë provat e sekuestruara dhe po përpiqen të zbardhin arsyet që e shtynë 24-vjeçarin të hapte zjarr ndaj qytetarëve.

Masakra ka tronditur Poloninë, ku sulmet masive me armë zjarri janë relativisht të rralla, veçanërisht në një qytet turistik si Krakova, i cili vizitohet çdo vit nga miliona turistë.