Një nga nxënëset që arriti t’i mbijetojë sulmit të armatosur në një shkollë në periferi të Bangkokut ka rrëfyer për BBC News momentet e tmerrit që përjetoi, ndërsa pa mësuesen e saj të vritej para syve.
“Isha përpara mësueses kur ajo u qëllua. Ajo po më fliste kur autori u shfaq dhe e qëlloi”, tregoi nxënësja e klasës së tetë.
Ajo kujton se menjëherë pas të shtënave u krijua kaos dhe panik, ndërsa nuk arrinte të shihte pothuajse asgjë.
“Nuk shihja gjë tjetër veç një reje pluhuri. Ai ecte nga një klasë në tjetrën. Tavolina ime ishte shumë afër mësueses. M’u desh të ngjitesha mbi gardhin e shkollës për t’u arratisur bashkë me shokët e tjerë”, rrëfeu ajo.
Pas arratisjes, nxënësja priti jashtë shkollës së bashku me nënën e saj. Sipas kësaj të fundit, fjalët e para që vajza i tha pasi u ribashkuan ishin: “Mendova se nuk do të të shihja më kurrë.”
Dëshmia e saj është një nga rrëfimet më prekëse të tragjedisë që tronditi Tajlandën, ku një nxënës vrau fillimisht gjyshërit e tij, më pas mori armën e tyre dhe hapi zjarr në shkollën ku studionte, duke lënë pas viktima dhe dhjetëra të plagosur.
