Autoritetet kineze kanë ekzekutuar një burrë i cili në shtatorin e kaluar vrau me thikë një djalë 10-vjeçar japonez në qytetin Shenzhen, në juglindje të Kinës. Lajmi është konfirmuar për BBC-në nga ambasada japoneze në Kinë.

Zhong Changchun u dënua me vdekje në janar për sulmin ndaj fëmijës, i cili ishte në rrugë për në një shkollë japoneze në atë qytet. Ngjarja tronditi thellë opinionin publik në të dy vendet dhe përshkallëzoi tensionet diplomatike, mes spekulimeve se bëhej fjalë për një sulm me motive ksenofobike.

“Qeveria e Japonisë e konsideron vrasjen e një fëmije plotësisht të pafajshëm një krim të pafalshëm dhe e përjeton këtë ekzekutim me seriozitetin më të madh,” thuhet në deklaratën e ambasadës japoneze për BBC-në.

“Në dritën e këtij incidenti, qeveria japoneze do të vazhdojë të marrë të gjitha masat e mundshme për sigurinë dhe do t’i bëjë thirrje të fortë palës kineze të garantojë sigurinë e shtetasve japonezë në Kinë.”

Sipas ambasadës, ajo është informuar për ekzekutimin nga Ministria e Punëve të Jashtme e Kinës.

Ngjarja ka shkaktuar frikë mes komunitetit japonez në Kinë. Si pasojë, kompani të mëdha japoneze, përfshirë Toyota, u kanë kërkuar punonjësve të jenë të kujdesshëm, ndërsa të tjera si Panasonic u kanë ofruar punonjësve bileta falas për t’u kthyer në Japoni.

Sipas autoriteteve japoneze, vendimi gjyqësor për Zhong nuk përmendte Japoninë si motiv të krimit. Ambasadori japonez në Kinë, Kenji Kanasugi, tha se Zhong kishte kërkuar të fliste me familjen e viktimës, por nuk u konfirmua nëse ai e kishte shënjestruar qëllimisht fëmijën për shkak të kombësisë së tij.

Ky incident ka sjellë gjithashtu në vëmendje rritjen e nacionalizmit të pakontrolluar në rrjetet sociale kineze, i cili ka ushqyer ndjenjat kundër të huajve në vitet e fundit.

Komentues në internet vunë në dukje se vrasja ndodhi në një datë simbolike – 18 shtator – që përkon me përvjetorin e incidentit që çoi në pushtimin japonez të Mançurisë në fillim të viteve 1930.

Grindjet historike kanë ndikuar përherë në marrëdhëniet politike mes Kinës dhe Japonisë. Kina ka kërkuar vazhdimisht falje zyrtare për agresionin kolonial dhe ushtarak japonez gjatë gjysmës së parë të shekullit XX, duke akuzuar Japoninë se minimizon krimet e saj në librat e historisë.

Sulmi ndaj djalit japonez ndodhi gjithashtu në një periudhë kur në Kinë janë raportuar disa sulme të tjera ndaj të huajve. Ndër to, edhe rasti i katër mësuesve amerikanë që u goditën me thikë në Jilin.

Në një tjetër incident në qershor të kaluar, një burrë sulmoi një nënë japoneze dhe fëmijën e saj në një stacion autobusi në Suzhou, por përfundoi duke vrarë një grua kineze që u përpoq t’i mbronte. Edhe autori i këtij rasti është ekzekutuar, kanë konfirmuar zyrtarët japonezë javën e kaluar.