Një nga çështjet më të errëta kriminale në Shtetet e Bashkuara është mbyllur me një vendim fajësie. Paul Allen Perez, 63 vjeç, u shpall fajtor për vrasjen e pesë fëmijëve të tij, të gjithë foshnja, në një seri krimesh që nisën më shumë se tre dekada më parë dhe u zbuluan vetëm pas një hetimi të gjatë dhe kompleks.

Autoritetet e Kalifornisë bënë me dije se Perez u dënua për katër vrasje dhe një rast dhune ndaj fëmijës nën moshën tetë vjeç që përfundoi me vdekje. Ai rrezikon burgim të përjetshëm pa mundësi lirimi me kusht. Krimet e tij dyshohet se nisën në vitin 1992, ndërsa për vite me radhë mbetën të fshehura për shkak të frikës dhe kërcënimeve ndaj nënës së fëmijëve.

Hetimi mori një kthesë vendimtare në vitin 2007, kur autoritetet zbuluan trupin e pajetë të një foshnjeje të fshehur brenda një frigoriferi dhe të hedhur në një kanal. Testet e ADN-së konfirmuan më vonë se foshnja ishte djali i Perezit. Vetëm në vitin 2019 u arrit identifikimi i plotë i viktimës, duke hapur rrugën për zbardhjen e të gjithë historisë kriminale.

Gjatë procesit gjyqësor, nëna e fëmijëve dëshmoi për vite dhune, frike dhe kërcënimesh serioze, duke treguar se vrasjet ndodhën kur fëmijët ishin vetëm disa muajsh. Ajo pranoi fajësinë për rrezikim të fëmijëve dhe pritet të dënohet me burg, pasi akuzat për vrasje ndaj saj u hoqën në këmbim të bashkëpunimit me drejtësinë.

Sipas autoriteteve, vetëm dy nga pesë trupat e fëmijëve janë gjetur deri më tani, ndërsa hetimet për pjesën tjetër vazhdojnë.