Politikani opozitar rus, Aleksei Navalny ka arritur në Moskë nga Gjermania, ku ai ishte trajtuar për muaj të tërë pas një helmimi, për të cilin i fajëson autoritetet ruse. Këto të fundit kanë paralajmëruar se mund ta arrestojnë Navalnyn.

Avioni me të cilën po udhëtonte Navalny ka ateruar në aeroportin Sheremetyevo të Moskës, ndonëse paraprakisht ishte paraparë që të ateronte në aerportin Vnukovo.

Por, autoritetet ruse mbyllën aeroportin Vnukovo.

Teksa po prisnin Navalnyn në aerportin Vnukovo, dhjetëra persona janë arrestuar.

Në mesin e të arrestuarve është edhe Lyubov Sobol, avokat në Fondacionin Anti-korrupsion të Navalnyt; Ruslan Shaveddinov menaxher projektesh në këtë fondacion dhe gazetari i Novaya Gazeta, Vlad Dokshin. Raportohet se në mesin e të arrestuarve ka edhe gazetarë të tjerë.

 
 
 
 
 
View this post on Instagram
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 

A post shared by Алексей Навальный (@navalny)

Navalny u nis më herët gjatë 17 janarit nga Gjermania drejt Rusisë dhe para nisjes u pyet nga gazetarët rreth mundësisë së arrestimit.

“Unë, të arrestohem? Unë jam i pafajshëm”, tha Navalny për gazetarët para se të hipte në avionin e Pobedas, që është në pronësi të kompanisë shtetërore, Aeroflot.

Më 13 janar, Navalny njoftoi se do të kthehej në Rusi, pavarësisht paralajmërimeve nga Shërbimi Korrektues Federal se do ta arrestojnë atë.

Muajin e kaluar, ky shërbim kërkoi që Navalny të rikthehej menjëherë nga Gjermania ose do të përballej me burgim në Rusi, pasi thanë se Navalny ka shkelur kushtet e dënimit me kusht, lidhur me një dënim më 2014 për mashtrime.

Navalny është njëri nga kritikët më të zëshëm të presidentit rus, Vladimir Putin.

“Ky është momenti më i mirë në këto pesë muajt e fundit. Ndihem mirë, më në fund po kthehem në qytetin tim”, tha Navalny ./ REL