Ish-kryeministri italian Silvio Berlusconi po tregon përmirësim të vazhdueshëm gjatë trajtimit të tij për një infeksion të mushkërive. 86-vjeçari u dërgua në spitalin San Raffaele të Milanos pasi pësoi probleme me frymëmarrje të mërkurën e kaluar dhe po trajtohet për infeksionin që është shkaktuar nga leucemia kronike.
Në një deklaratë, mjekët e tij Alberto Zangrillo dhe Fabio Ciceri thanë: Gjatë 48 orëve të fundit ka pasur një përmirësim progresiv dhe të qëndrueshëm në funksionalitetin e organeve që monitorohen.
Ata shtuan se ai kishte zhvilluar kohët e fundit një infeksion pulmonar dhe se terapitë citoreduktive, antimikrobike dhe anti-inflamatore po japin rezultatet e pritura dhe optimiste. Berlusconi vazhdon të trajtohet në seksionin e kujdesit intensiv të spitalit, duke nxitur spekulimet se gjendja e tij mund t’i kishte vënë në rrezik jetën e tij, duke bërë që familja dhe miqtë e tij t’i qëndronin pranë shtratit.
Manjati miliarder i medias ka pësuar disa periudha të sëmundjes në vitet e fundit, duke përfshirë kontraktimin e COVID-19 në 2020. Pasi u lirua nga një qëndrim 10-ditor në spital, ai tha se sëmundja kishte qenë e rëndë dhe ishte sfida më e rrezikshme me të cilën ishte përballur ndonjëherë. Ai ka pasur një stimulues kardiak prej vitesh, iu nënshtrua një operacioni në zemër për të zëvendësuar valvulën e aortës në vitin 2016 dhe ka mposhtur kancerin e prostatës.
Berlusconi dha dorëheqjen si kryeministër për herë të fundit në vitin 2011, pasi Italia iu afrua një krize borxhi si ajo e Greqisë dhe u përball me skandale të shumta, veçanërisht rreth festave të tij famëkeqe “bunga bunga”. Ai u kthye në Senat pas zgjedhjeve të përgjithshme shtatorin e kaluar.