Më shumë se 10 milionë njerëz kanë pasur ndërprerje të energjisë elektrike në shtëpitë dhe bizneset e tyre në të gjithë Kubën, pasi rrjeti kombëtar elektrik i vendit doli jashtë funksionit për herë të dytë brenda një jave.

Ministria e energjisë e Kubës tha se “ka ndodhur një shkëputje totale e Sistemit Elektrik Kombëtar”, në një deklaratë të postuar në mediat sociale. “Protokollet për rivendosjen e energjisë elektrike tashmë kanë filluar të zbatohen”, vijon njoftimi.

Operatori i rrjetit elektrik të Kubës, UNE, tha se po e rikthen gradualisht energjinë elektrike, duke i dhënë përparësi qendrave “jetike”, përfshirë spitalet dhe sistemet e ujit.

Vendi i Karaibeve ka pësuar tre ndërprerje të mëdha të energjisë këtë muaj, ndërsa bllokada amerikane e karburantit ndërpret importet e naftës së huaj, të nevojshme për të mbajtur në punë termocentralet.

Vendi i drejtuar nga komunistët ka një infrastrukturë të vjetëruar të energjisë elektrike dhe mungesa kronike të karburantit.

Një koalicion grupesh socialiste ndërkombëtare mbërriti në Havana gjatë fundjavës për të treguar mbështetjen e tyre për qeverinë kubane, duke sjellë me vete donacione ndihmash si panele diellore, paketa ushqimore bazë dhe ilaçe.