Një 22-vjeçar, në qytetin Brisbane në Australi, është dërguar për gjykim pasi përballet me më shumë se 100 akuza për vepra penale seksuale ndaj të miturve. Ç’ka rëndon dosjen e tij është se i akuzuari është djali i një gjyqtari me emër të njohur në vendin e tij, Mark Bamberry.
I akuzuari, Cooper Mitchell Bamberry, doli para Gjykatës së Magjistraturës në Brisbane, ku u shqyrtuan 129 akuza të ngritura ndaj tij gjatë vitit 2025.
Sipas prokurorisë, akuzat përfshijnë një rast përdhunimi, dy raste marrëdhëniesh seksuale me të mitur, dhjetëra raste trajtimi të pahijshëm të një fëmije dhe përdorim të internetit për të joshur të mitur. Gjithashtu, ai akuzohet për posedim dhe shpërndarje të materialeve shfrytëzuese të fëmijëve, si dhe për përfshirjen e tyre në krijimin e këtyre materialeve.
Gjatë seancës, avokati mbrojtës Adam Guest dha pëlqimin që çështja të kalojë në gjykim, pas dëgjimit të një dëshmitari. Seanca u zhvillua pjesërisht me dyer të mbyllura, ndërsa një dëshmitare dha dëshmi përmes videolidhjes dhe iu njoh statusi i dëshmitares speciale.
Zëvendëskryetari i magjistraturës, Stephen Courtney, i kërkoi të akuzuarit të shprehej mbi akuzat, por ai refuzoi të japë deklarim fajësie në këtë fazë.
Çështja pritet të kalojë në Gjykata e Qarkut të Queensland, ku do të zhvillohet gjykimi në një datë që ende nuk është përcaktuar. Ndërkohë, Bamberry do të qëndrojë në paraburgim deri në vijimin e procesit gjyqësor.
