Një 21-vjeçar është shpëtuar mrekullisht nga rrënojat e një pallati në La Guaira të Venezuelës, pasi kishte qëndruar i bllokuar për plot 106 orë pas tërmeteve shkatërruese që goditën vendin.
I riu, Aaron Levi Cantillo Vargas, u nxor i gjallë pas një operacioni dramatik shpëtimi që zgjati 43 orë dhe ku morën pjesë ekipe emergjence nga Venezuela, Meksika dhe El Salvadori.
Sipas autoriteteve, ekipet arritën fillimisht të lokalizonin 21-vjeçarin mes rrënojave të ndërtesës “OPP 25” në zonën Tanaguarena, por ndërhyrja u vështirësua për shkak të pranisë së trupave të pajetë mes tij dhe shpëtimtarëve.
Pas largimit të viktimave, operacioni vijoi pa ndërprerje deri në nxjerrjen e të riut. Gjatë gjithë kohës, një mjek i dha lëngje dhe kujdes të vazhdueshëm për ta mbajtur të hidratuar dhe për të rritur shanset e mbijetesës.
Pamjet e shpëtimit kanë prekur opinionin publik dhe janë shpërndarë gjerësisht në rrjetet sociale, ndërsa rasti i Aaronit është kthyer në simbol shprese për familjet që ende kërkojnë të afërmit e zhdukur pas katastrofës natyrore.
