Prokuroria e Koresë së Jugut ka ngritur akuza të rënda ndaj ish-zonjës së parë, Kim Geun-hee, duke e akuzuar për pranim ryshfeti në formën e mallrave luksoze, ndërhyrje të paligjshme në punët e shtetit dhe shkelje të ligjeve zgjedhore. Sipas hetuesve, vlera totale e ryshfeteve të dyshuara kap shifrën mbi 200 mijë dollarë.

Kim Geun-hee, bashkëshortja e ish-presidentit Yoon Seok-gyeol, u arrestua në muajin gusht dhe akuzohet gjithashtu për manipulim të tregut të aksioneve dhe korrupsion pasiv. Pas një hetimi gjashtëmujor, kryeprokurori Min Joong-gi deklaroi se institucionet shtetërore janë “tronditur seriozisht” nga, siç u shpreh ai, abuzimi me pushtetin nga ana e ish-zonjës së parë.

Sipas prokurorisë, gjatë periudhës 2022–2025, Kim Geun-hee ka ushtruar ndikim të fshehtë dhe të paligjshëm në vendimmarrjen shtetërore, larg vëmendjes së publikut. Autoritetet e akuzojnë atë se ka përfituar rreth 377.25 milionë won (afërsisht 223 mijë euro) nga biznesmenë dhe figura politike.

Dosja përfshin edhe dhurata luksoze të dyshuara si ryshfet, mes tyre dy çanta Chanel, një gjerdan i markës Graff, një çantë Dior, një orë bizhuterie dhe një pikturë e artistit të njohur korean Lee Woo-fan. Këto dhurata, sipas hetimeve, janë marrë nga Ha Hak-ja, udhëheqëse e Kishës së Unifikimit, e njohur edhe si “sekti i Hënës”.

Ish-presidenti Yoon ka deklaruar para prokurorëve se nuk kishte dijeni për këto transaksione. Ndërkohë, në fillim të dhjetorit, prokuroria kërkoi për Kim Geun-hee një dënim me 15 vite burg dhe një gjobë prej dy miliardë wonësh (rreth 1.4 milion dollarë), duke e akuzuar se ka vepruar “mbi ligjin” dhe ka bashkëpunuar me një organizatë fetare, duke vënë në dyshim ndarjen kushtetuese të fesë nga shteti.

Kim Geun-hee i ka mohuar të gjitha akuzat, duke i cilësuar ato si “thellësisht të padrejta”. Çështja e saj vjen në një kontekst të trazuar politik, pasi ish-presidenti Yoon shpalli një gjendje të jashtëzakonshme në dhjetor 2024, e cila zgjati vetëm disa orë, por e futi vendin në një krizë të thellë. Ai u shkarkua më pas nga detyra, pasi u shpall fajtor për kryengritje, akuzë që e ka mohuar vazhdimisht.