Numri i personave të evakuuar për shkak të zjarreve masive që kanë përfshirë Francën dhe Spanjën vijon të rritet nga ora në orë.

Sipas mediave të huaja, më shumë se 220 mijë persona janë detyruar të largohen nga banesat e tyre në jugperëndim të Francës dhe në qendër të Spanjës, ku po përhapen zjarre të mëdha pyjore, ende jashtë kontrollit të plotë të autoriteteve.

Numri i të evakuuarve u rrit ndjeshëm gjatë natës, pasi mbi 60 mijë banorë u larguan nga zonat e rrezikuara në rajonin atlantik francez të Bordosë.

Zjarri që ka përfshirë prej të mërkurës departamentin Gironde, në jugperëndim të Francës, po afrohet drejt zonës metropolitane të Bordosë. Për këtë arsye, prefekti i departamentit urdhëroi evakuimin “parandalues” të katër qyteteve të tjera.

Masa prek banorët e Saint-Medard-en-Jalles (33 mijë banorë), Saint-Jean d’Illac (9.600), Martignas-sur-Jalles (8 mijë) dhe Saint-Aubin de Medoc (7.800).

Sipas autoriteteve lokale, zjarri, i cili nisi në veri të pellgut të Arcachon, ka shkatërruar deri tani rreth 19 mijë hektarë tokë dhe 100 ndërtesa brenda tre ditësh.

Shërbimi francez i informacionit mbi trafikun, Bison Fute, u ka bërë thirrje gjatë natës drejtuesve të mjeteve që të shmangin udhëtimet drejt ose përmes departamentit Gironde, për shkak të situatës së rëndë nga zjarret.

“Rekomandohet fuqimisht të mos udhëtoni drejt ose përmes departamentit Gironde. Shtyni udhëtimin nëse është e mundur. Lërini rrugët të lira për shërbimet e emergjencës”, thuhej në njoftimin e autoriteteve franceze.

Spanja shpall gjendjen e emergjencës kombëtare

Ndërkohë, zjarret e fuqishme në Spanjë kanë detyruar Madridin të shpallë gjendjen e emergjencës kombëtare.

Ministria e Brendshme spanjolle ka rritur në 63 mijë numrin e personave të evakuuar ose të detyruar të qëndrojnë të izoluar në zonat mes Madridit dhe Avilës.

Shifra u rrit pasi rreth 5 mijë persona u evakuuan nga një kamping në El Escorial, si pasojë e zjarreve që po përfshijnë disa zona të vendit.

Sipas mediave spanjolle, autoritetet vijojnë përpjekjet për të vënë nën kontroll flakët, ndërsa situata mbetet kritike për shkak të temperaturave të larta dhe përhapjes së shpejtë të zjarreve.