Më shumë se 250 ditë në det kanë ngritur shqetësime për gjendjen e mijëra pjesëtarëve të Marinës amerikane që ndodhen në bordin e aeroplanmbajtëses USS Abraham Lincoln, e cila vijon një mision të zgjatur pa një datë të konfirmuar për kthimin në Shtetet e Bashkuara.
Rreth 5 mijë persona ndodhen në bordin e anijes, ndërsa mediat e specializuara për çështjet ushtarake kanë raportuar për lodhje të akumuluar, mungesa furnizimesh dhe probleme të tjera të krijuara gjatë qëndrimit të gjatë në det.
Sipas disa raportimeve, situata është rënduar deri në atë pikë sa disa marinarë kanë shfaqur probleme serioze emocionale dhe madje kanë menduar të hidhen në det.
Raportimet kanë tërhequr vëmendjen e ligjvënësve amerikanë, ndërsa Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, i ka kundërshtuar pretendimet, duke i cilësuar kushtet e përshkruara si “krejtësisht të keqinterpretuara”.
USS Abraham Lincoln u largua nga Kalifornia në nëntor, fillimisht drejt Detit të Kinës Jugore, përpara se të ridislokohej në Lindjen e Mesme.
Misioni ishte planifikuar të përfundonte në maj, por është zgjatur disa herë dhe deri tani nuk është bërë publike një datë përfundimtare për kthimin e aeroplanmbajtëses.
Ndërkohë, disa media kanë raportuar se SHBA po përgatitet të zëvendësojë USS Abraham Lincoln me USS George Washington, në kuadër të një rotacioni të planifikuar të forcave detare.
Senatori demokrat i Konektikatit, Richard Blumenthal, i ka dërguar një letër Sekretarit të Mbrojtjes, duke kërkuar përgjigje për një sërë problemesh të raportuara në bordin e anijes.
Në listën e shqetësimeve përfshihen mungesat e furnizimeve bazë, ndotja e ujit, problemet me sistemin hidraulik, përkeqësimi i shëndetit mendor, çështjet e sigurisë në kuvertë dhe problemet me sistemin postar.
Sipas Blumenthal, disa pako të dërguara nga familjarët e marinarëve kanë humbur gjatë transportit dhe nuk kanë mbërritur për muaj të tërë.
“Këto raportime kërkojnë vëmendje të menjëhershme”, shkroi senatori, duke ngritur pikëpyetje edhe mbi kapacitetin e Marinës amerikane për të përballuar ritmin e lartë operacional të kërkuar nga aeroplanmbajtëset.
Debati zhvillohet në një periudhë të tensionuar për SHBA-në, ndërsa administrata Trump përballet me presion politik lidhur me angazhimin ushtarak amerikan në Lindjen e Mesme dhe konfliktin me Iranin.
