Mbi 5 mijë persona dyshohet se kanë humbur jetën në Gjermani gjatë këtij viti si pasojë e temperaturave ekstreme, sipas të dhënave të publikuara nga Instituti Robert Koch për Shëndetin Publik.

Në raportin e tij javor, instituti bëri të ditur se rreth 5,120 vdekje lidhen me valët e të nxehtit, ndërsa numri më i lartë i viktimave u regjistrua gjatë periudhës së temperaturave përvëluese në fund të muajit qershor.

Sipas raportit, pjesa më e madhe e viktimave, rreth 4,270 persona, ishin mbi moshën 75 vjeç, një kategori veçanërisht e rrezikuar nga efektet e temperaturave të larta.

Instituti thekson gjithashtu se numri i grave që humbën jetën ishte më i lartë se ai i burrave, kryesisht për shkak se gratë përbëjnë një pjesë më të madhe të popullsisë në grupmoshat e avancuara.

Autoritetet shëndetësore në Gjermani vijojnë të paralajmërojnë për rrezikun në rritje që paraqesin valët e të nxehtit, veçanërisht për të moshuarit dhe personat që vuajnë nga sëmundje kronike.