Gjykata Penale e Shkupit ka caktuar datën 19 nëntor për nisjen e procesit gjyqësor lidhur me zjarrin tragjik që përfshiu një klub nate në qytetin e Koçanit, ku humbën jetën 63 persona dhe rreth 200 të tjerë u plagosën.

Seanca e parë do të zhvillohet në sallën e gjyqit të burgut të Idrizovës, për arsye sigurie dhe hapësire, duke pasur parasysh numrin e madh të të akuzuarve dhe ndjeshmërinë e lartë të çështjes.

Në bankën e të akuzuarve do të ulen 37 persona, mes tyre pronari dhe drejtues të klubit, tre ish-kryetarë bashkie të Koçanit, dy ish-ministra të Ekonomisë së Maqedonisë së Veriut, disa zyrtarë shtetërorë dhe persona të tjerë.

Sipas aktakuzës, këta individë akuzohen se me veprimet apo mosveprimet e tyre kanë çuar në shpërthimin e tragjedisë më të rëndë të viteve të fundit në vend, për shkak të shkeljeve të rënda të protokolleve të sigurisë dhe mungesës së kontrolleve në ambientet publike.

Tragjedia në Koçan tronditi mbarë opinionin publik dhe solli reagime të ashpra për dështimin e institucioneve në garantimin e standardeve minimale të sigurisë në mjediset e frekuentuara nga qytetarët.