Një njoftim pune për bari delesh në Kinë është kthyer papritur në fenomen në rrjetet sociale, duke nxjerrë në pah pakënaqësinë e shumë të rinjve me jetën dhe ritmin e punës në qytetet e mëdha.

Pronar i fermës, Chu Xiaoyong, tha se mbeti i surprizuar pasi oferta e tij për punë u bë virale në platformën Weibo, duke grumbulluar rreth 59 milionë shikime.

Sipas tij, aplikimet nuk erdhën vetëm nga zonat rurale, por edhe nga punonjës zyrash në qytete si Shanghai dhe Chongqing, si edhe nga punëtorë fabrikash dhe të diplomuar universitarë.

Shumë prej aplikantëve deklaruan se kërkonin të largoheshin nga stresi i jetës urbane dhe kultura intensive e punës “996”, që nënkupton punë nga ora 9 e mëngjesit deri në 9 të mbrëmjes, gjashtë ditë në javë.

Një 28-vjeçare që punonte në sektorin e tregtisë elektronike tha se ëndërronte një jetë më të qetë dhe larg presionit të qytetit, ndërsa një 21-vjeçar, ish-punëtor fabrike, u shpreh se dëshironte t’i shpëtonte kushteve të vështira dhe orëve të gjata të punës.

Pozicioni ofronte rreth 1 mijë euro në muaj, së bashku me ushqim dhe akomodim, një pagë që konsiderohet mbi mesataren në sektorin privat urban në Kinë. Puna përfshinte kujdesin për mijëra dele në një kullotë prej 20 mijë akrash, si edhe përballjen me dimra ekstremë ku temperaturat zbresin deri në -30 gradë Celsius.

Në fund, Chu Xiaoyong vendosi të punësojë katër barinj me përvojë të mëparshme në ferma, të gjithë të lindur në vitet 1980. Ai theksoi se nuk preferoi të punësonte të rinj nga qytetet e mëdha apo persona beqarë, pasi izolimi i zonës është shumë i vështirë për t’u përballuar.

“Ka vende ku mund të mos shohësh askënd për një vit të tërë. Jo të gjithë mund ta durojnë këtë vetmi”, u shpreh ai.