Shpërthimi i ri i Ebolës në Republikën Demokratike të Kongos po del gjithnjë e më shumë jashtë kontrollit, ndërsa autoritetet dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë paralajmërojnë se virusi mund të përhapet me shpejtësi në rajon nëse nuk ndërhyhet urgjentisht.
Deri tani janë raportuar mbi 900 raste të dyshuara dhe 223 viktima të dyshuara, që nga shpallja e shpërthimit më 15 maj. Epiqendra mbetet provinca Ituri, një zonë e trazuar nga konfliktet e armatosura dhe mungesa e theksuar e infrastrukturës shëndetësore.
Guvernatori ushtarak i Iturit, Johnny Luboya Nkashama, e krahasoi situatën me një “luftë” që po zhvillohet pa burimet e nevojshme. Ai tha se banorët nuk kanë ushqim të mjaftueshëm, spitalet janë të mbingarkuara dhe personeli mjekësor është i pamjaftueshëm.
“Sa më shumë kohë të humbasim, aq më afër katastrofës i afrohemi”, paralajmëroi ai. OBSH ka shpallur emergjencë shëndetësore me shqetësim ndërkombëtar, ndërsa drejtori i saj, Tedros Adhanom Ghebreyesus, pranoi se përhapja e virusit po ecën më shpejt sesa përpjekjet për ta frenuar.
Rastet janë raportuar edhe në provincat Kivu Veriore dhe Jugore, ndërsa virusi ka kaluar tashmë edhe në Ugandë, ku janë konfirmuar shtatë raste. Autoritetet afrikane kanë paralajmëruar se në rrezik janë edhe vende të tjera si Ruanda, Sudani i Jugut, Tanzania, Kenia dhe Zambia.
Situata po rëndohet edhe nga tensionet në terren. Dy qendra trajtimi janë sulmuar nga të afërm të viktimave që kërkonin trupat e familjarëve të tyre, duke e bërë edhe më të vështirë kontrollin e shpërthimit.
Qendrat Afrikane për Kontrollin e Sëmundjeve kanë miratuar një plan emergjent prej 319 milionë dollarësh për të frenuar virusin, por deri tani është siguruar vetëm një pjesë e fondeve.
Ky është shpërthimi i 17-të i Ebolës në RD të Kongos që nga zbulimi i virusit në vitin 1976 dhe një nga më të rrallët, pasi lidhet me variantin Bundibugyo, për të cilin aktualisht nuk ka vaksinë apo trajtim specifik të gatshëm. OBSH paralajmëron se mund të duhen deri në nëntë muaj për të zhvilluar një vaksinë efektive.
Ebola është një virus shumë i rrezikshëm që përhapet përmes kontaktit me gjakun, lëngjet trupore ose trupat e personave të infektuar. Simptomat fillojnë me ethe, lodhje, dhimbje muskujsh dhe më pas mund të kalojnë në gjakderdhje të brendshme dhe dështim të organeve. Në shumë raste, sëmundja rezulton fatale.
