Komisioni për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale ka zhvilluar vizita monitoruese në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale nr. 313 në Tiranë, si dhe në Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimit të Provës.

Vizitat u zhvilluan në kuadër të kalendarit vjetor të mbikëqyrjes parlamentare për vitin 2026, me qëllim vlerësimin e zbatimit të legjislacionit në fushën penale dhe funksionimit të institucioneve përgjegjëse për ekzekutimin e vendimeve gjyqësore.

Një nga çështjet kryesore të trajtuara ishte mbipopullimi në burgje dhe paraburgime, si dhe shpërndarja e të dënuarve dhe personave nën masën e sigurisë sipas kapaciteteve të institucioneve. Diskutimet u përqendruan gjithashtu te përmirësimi i kushteve të trajtimit, zbatimi i rekomandimeve të Kuvendit dhe Bashkimit Evropian, si dhe ecuria e strategjive dhe planeve të veprimit.

Gjatë vizitës në IEVP nr. 313, përfaqësuesit e komisionit shqyrtuan kushtet e akomodimit, infrastrukturën, standardet e higjienës dhe ofrimin e shërbimeve bazë. Në fokus ishin edhe aksesi në kujdesin shëndetësor dhe ndihmën juridike, si dhe mundësitë që u ofrohen të burgosurve për të mbajtur kontakte me familjarët.

Një tjetër temë e diskutuar ishte nevoja për shtimin e personelit dhe investimeve, si dhe krijimi i më shumë mundësive për aktivitete arsimore dhe rehabilituese. Po ashtu, u evidentua rëndësia e bashkëpunimit mes institucioneve për të shmangur vonesat në ekzekutimin e vendimeve penale dhe për të reduktuar kohëzgjatjen e qëndrimit në paraburgim.

Vëmendje iu kushtua edhe dënimeve alternative dhe rolit të Shërbimit të Provës në mbikëqyrjen dhe mbështetjen e personave që vuajnë dënimin në komunitet. Gjatë diskutimeve u trajtuan vështirësitë në nisjen dhe ndjekjen e këtyre masave, ngarkesa e punës së punonjësve dhe bashkëpunimi me gjykatat, prokuroritë dhe institucionet e tjera mbështetëse.

Në këtë kuadër, u diskutua edhe për digjitalizimin dhe administrimin e të dhënave, përdorimin e mbikëqyrjes elektronike dhe vlerësimin e programeve të rehabilitimit e riintegrimit, me synim parandalimin e përsëritjes së veprave penale.

Të dhënat e mbledhura gjatë vizitave do të përdoren për hartimin e raporteve dhe rekomandimeve për institucionet përgjegjëse. Ky proces synon të forcojë kontrollin parlamentar mbi zbatimin e ligjeve dhe të kontribuojë në garantimin e të drejtave të personave të privuar nga liria, si dhe të atyre që janë nën mbikëqyrjen e Shërbimit të Provës.