Mbreti 89-vjeçar i Norvegjisë, Harald, ndodhet në një gjendje “jashtëzakonisht të rëndë”, pasi gjendja e tij shëndetësore është përkeqësuar gjatë trajtimit në spital për një çrregullim të gjakut.

Pallati Mbretëror norvegjez bëri të ditur lajmin të enjten përmes një deklarate të shkurtër, ku thuhej: “Gjendja shëndetësore e Madhërisë së Tij, Mbretit, është jashtëzakonisht e rëndë”. Pallati nuk dha detaje të tjera mbi gjendjen e monarkut.

Ndërkohë, Mbretëresha Sonja dhe Princi i Kurorës Haakon, i cili ka marrë përsipër detyrën e regjentit gjatë sëmundjes së të atit, kanë anuluar të gjitha angazhimet e tyre zyrtare. Mediat norvegjeze raportojnë se familjarë të mbretit ndodhen pranë tij në spital.

Harald po merr trajtim në Spitalin Universitar të Oslos, ku është shtruar që prej 17 gushtit për shkak të anemisë hemolitike. Kjo është një gjendje në të cilën qelizat e kuqe të gjakut shkatërrohen më shpejt sesa trupi arrin t’i zëvendësojë.

Mbreti u dërgua fillimisht në spital pasi pësoi mbajtje të lëngjeve, e cila lidhej me trajtimin me kortizon. Gjatë viteve të fundit, Harald është përballur me një sërë problemesh shëndetësore, përfshirë edhe vendosjen e një stimuluesi kardiak.

Harald ndodhet në fron që prej vitit 1991. Edhe pse ka reduktuar angazhimet e tij zyrtare për shkak të problemeve shëndetësore, ai ka përjashtuar vazhdimisht mundësinë e abdikimit.

Mbreti ka deklaruar se betimi që ka bërë përpara Parlamentit norvegjez përbën një detyrim që synon ta mbajë gjatë gjithë jetës.