Vëllai i Princeshë Dianës, Charles Spencer, në librin e tij ka publikuar fakte të rënda për Princin e atëhershëm Charles.
Charles ishte “jashtëzakonisht i gëzuar” pas vdekjes së Dianës në vitin 1997, ndoshta sepse mendonte se kjo do të thoshte se ishte më i lirë të martohej përsëri, thekson “Daily Mail”.
“Është një fakt i trishtueshëm që, në vitet e saj të mëvonshme, Diana udhëtoi me makinë më shumë se një herë drejt Beachy Head, shkëmbit më të lartë detar në Angli, ndërsa mendonte t’i jepte fund gjithçkaje”, shkroi Spencer.
Të mërkurën, Charles ndërmori hapin e pazakontë për t’iu përgjigjur kritikave pasi fragmentet e para të librit të Spencer u botuan në Daily Mail, duke thënë nëpërmjet një zëdhënësi se pikëllimi mund të ndikojë në arsye, gjykim dhe kujtesë.
Diana u vra në moshën 36-vjeçare kur makina që transportonte atë dhe të dashurin e saj Dodi al-Fayed u përplas në Paris, ndërsa po largohej me shpejtësi nga ndjekja e fotografëve paparacë me motoçikleta.
Spencer thotë në libër se foli me Charlesin menjëherë pasi u konfirmua vdekja e Dianës, duke shkruar: “Ndryshe nga telefonuesit e tjerë, të cilët ishin të tronditur, ai dukej jashtëzakonisht i gëzuar – si një fitues i llotarisë, mbaj mend të kem menduar në atë kohë.”
Spencer shtoi: “Duke parë prapa tani, dyshoj se reagimi i parë i princit duhet të ketë qenë të mendojë më shumë se si kjo ngjarje mund ta lironte atë të martohej me gruan që donte, në vend që të vlerësonte humbjen e një gruaje që nuk e donte.”
Charles dhe Diana u ndanë në vitin 1992 dhe u divorcuan në vitin 1996. Kjo ndodhi një vit pasi Diana i tha BBC-së se “ishim tre veta në këtë martesë, kështu që ishte paksa e mbushur me njerëz” duke iu referuar marrëdhënies së Charles me Camilla Parker Boëles, me të cilën ai u martua në vitin 2005.
