Një deklaratë e fortë e Elon Musk gjatë një tubimi masiv të populistëve të djathtë në Londër ka ndezur polemika të mëdha në skenën politike britanike. Duke iu drejtuar më shumë se 110.000 pjesëmarrësve përmes video-konference, miliarderi amerikan lëshoi akuza të ashpra ndaj qeverisë dhe medias britanike, duke paralajmëruar: “Dhuna po vjen tek juve. Mbrohuni ose do të vdisni.”
Musk u shpreh se qytetarët britanikë “kanë frikë të shprehin mendimin e lirë”, ndërsa akuzoi BBC-në si “bashkëfajtore në shkatërrimin e Britanisë së Madhe”. Ai komentoi gjithashtu mbi emigracionin, Brexit-in dhe, në një hap më tej, kërkoi shpërbërjen e parlamentit britanik dhe zëvendësimin e qeverisë laburiste të kryeministrit Keir Starmer.
Reagimi i qeverisë britanike nuk vonoi. Starmer i cilësoi komentet e Musk si “të rrezikshme”, por hodhi poshtë çdo mundësi për sanksione ndaj tij. “Britania është një komb që krenohet për tolerancën, diversitetin dhe respektin. Protesta paqësore është një bërthamë e vlerave tona,” shkroi kryeministri në platformën X.
Një zëdhënës i tij theksoi se “populli britanik nuk dëshiron këtë gjuhë të rrezikshme dhe nxitëse”, ndërsa paralajmëroi se deklarata të tilla “nxisin dhunë dhe frikë në rrugët tona.”
Tema e emigracionit, për të cilën Musk foli me tone të ashpra, vijon të jetë një nga çështjet më të debatueshme në vend. Vetëm që nga fillimi i vitit, mbi 30.000 persona kanë hyrë ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar përmes Kanalit të Lamanshit. Strehimi i azilkërkuesve në hotele ka shkaktuar tensione dhe protesta të herëpashershme gjatë muajve të verës.
Deklaratat e Musk vijnë në një kohë të ndjeshme për Britaninë, ku polarizimi politik dhe sfidat e sigurisë po ndikojnë ndjeshëm në klimën sociale dhe publike. Pavarësisht kritikave, vetë Musk nuk ka bërë ende ndonjë deklaratë sqaruese apo tërheqje nga qëndrimet e tij.