Greqia dhe Izraeli kanë hedhur firmat përfundimtare për krijimin e “Kupolës Helenike”, një prej projekteve më ambicioze të mbrojtjes ajrore të Athinës, me vlerë mbi 3 miliardë euro.
Pas gati tre vitesh negociatash, diskutimesh teknike dhe miratimesh institucionale, marrëveshja ndërqeveritare ka hyrë zyrtarisht në fazën e zbatimit.
Kontratat u nënshkruan në Tel Aviv nga përfaqësues të Drejtorisë së Përgjithshme të Armatimeve dhe Investimeve të Mbrojtjes të Ministrisë greke të Mbrojtjes dhe strukturave përkatëse izraelite të bashkëpunimit dhe zhvillimit të teknologjive të mbrojtjes.
Në kuadër të marrëveshjes, kompanitë izraelite IAI, Rafael dhe ELTA Systems pritet të nisin projektet përkatëse.
Programi “Mburoja e Akilit” synon të ndryshojë mënyrën se si Greqia organizon mbrojtjen e hapësirës së saj ajrore. Në vend të sistemeve të veçuara, Athina synon të krijojë një arkitekturë të integruar ku radarët, sensorët, sistemet e mbrojtjes dhe qendrat e komandës të funksionojnë si një rrjet i vetëm.
Një investim prej mbi 3 miliardë eurosh
Programi ka një vlerë prej më shumë se 3 miliardë eurosh, ndërsa rreth 25 për qind e tij është parashikuar të ketë pjesëmarrje greke.
Kjo nënkupton se një pjesë e konsiderueshme e investimit do të kthehet në ekonominë greke përmes prodhimit, bashkëpunimit industrial, transferimit të teknologjisë dhe zhvillimit të kapaciteteve vendase të industrisë së mbrojtjes.
Në projekt pritet të përfshihen kompani greke si EAS, EAB, Metlen, Miltech, Scytalys, Akmon, Salamina Shipyards dhe GEK TERNA.
Ministri grek i Mbrojtjes, Nikos Dendias, e ka cilësuar projektin si pjesë qendrore të reformës “Agenda 2030” për Forcat e Armatosura.
Sipas tij, zhvillimi i teknologjisë ushtarake, raketat balistike, sistemet pa pilot, kërcënimet kibernetike dhe format hibride të luftës kanë ndryshuar rrënjësisht mënyrën se si duhet të konceptohet mbrojtja moderne.
Çfarë do të përfshijë “Kupola Helenike”?
“Mburoja e Akilit” nuk do të jetë një sistem i vetëm, por një kombinim i disa teknologjive të mbrojtjes.
Në arkitekturën e saj parashikohet përfshirja e BARAK MX të IAI-t, me interceptorë të niveleve të ndryshme, radarëve EL/M-2084 të ELTA Systems dhe sistemeve SPYDER të Rafael.
Në shtresën e mbrojtjes kundër kërcënimeve balistike parashikohet gjithashtu përdorimi i David’s Sling, ndërsa një sistem i unifikuar komandimi dhe kontrolli do të lidhë të gjitha elementet në një rrjet të vetëm.
Qëllimi është që sistemi të jetë në gjendje të zbulojë, analizojë dhe prioritizojë kërcënimet, duke zgjedhur automatikisht mjetin më të përshtatshëm për reagim.
Për Athinën, projekti nuk lidhet vetëm me forcimin e mbrojtjes ajrore. Ai shihet gjithashtu si një mundësi për të rritur kapacitetet e industrisë greke të mbrojtjes dhe për të krijuar një bazë më të avancuar teknologjike brenda vendit.
Me nënshkrimin e marrëveshjes, “Mburoja e Akilit” kalon nga faza e negociatave në atë të zbatimit, ndërsa Greqia synon që sistemi i ri i mbrojtjes ajrore të jetë plotësisht funksional brenda afatit të përcaktuar nga programi./PROTOTHEMA
