Pas mbylljes së qeverisë federale të Shteteve të Bashkuara, Shtëpia e Bardhë ka paralajmëruar se brenda dy ditësh priten pushime masive nga puna. Kongresi amerikan dështoi të miratonte planin e ri të financimit, gjë që çoi në mbylljen e qeverisë të mërkurën pas gati 7 vitesh. Frika është që kriza mund të zgjasë dhe të rrezikojë qindra mijëra vende pune, si dhe t’i kushtojë ekonomisë miliarda dollarë.

Në një konferencë për shtyp në Shtëpinë e Bardhë pasditen e së mërkurës, zëvendëspresidenti JD Vance bëri një paraqitje të rrallë së bashku me Sekretaren e Shtypit Karoline Leavitt dhe akuzoi demokratët se po bëjnë lojëra politike. Leavitt paralajmëroi se pushimet masive do të nisin brenda dy ditësh.

Analistët presin që mbyllja e qeverisë të zgjasë më shumë sesa ajo e fundit në vitin 2018, Kur Kongresi miratoi disa projektligje financimi. Ata presin që afërsisht 40% e punonjësve federalë, rreth 750,000 njerëz, të pezullohen përkohësisht nga puna. Disa punëtorë u pushuan nga puna të mërkurën. 

“Le të jemi të sinqertë, nëse kjo gjë zgjatet do të na duhet të pushojmë nga puna njerëz”, tha Vance gjatë konferencës informative të mërkurën.

Udhëheqësi demokrat i Senatit Chuck Schumer akuzoi republikanët se po përpiqen të shantazhojnë demokratët që të pranojnë planin e tyre të financimit. Demokratët kërkojnë garanci për financimin e kujdesit shëndetësor përpara se të bien dakord për një marrëveshje financimi, ndërsa republikanët propozojnë një zgjidhje të përkohshme që do ta mbante qeverinë hapur deri në mes të nëntorit me nivelet aktuale të buxhetit. Sipas demokratëve, qëllimi i mbylljes së qeverisë është që të mbrojnë përfitimet shëndetësore për amerikanët me të ardhura të ulëta, por deri tani përpjekjet për marrëveshje me republikanët kanë dështuar. 

Ndërkohë, republikanët, të cilët kontrollojnë të dyja dhomat e Kongresit por nuk kanë 60 votat e nevojshme për të kaluar ligjin,  thonë se prioritet është mbajtja e qeverisë hapur dhe jo zgjerimi i përfitimeve shëndetësore, të cilat sipas tyre janë të kushtueshme dhe të panevojshme pas përfundimit të emergjencës së pandemisë.

Punonjësit esencialë si rojet kufitare dhe personeli ushtarak do të vazhdojnë të punojnë pa pagesë përkohësisht, ndërsa ata që cilësohen jo thelbësorë do të dërgohen në leje të papaguar. Në të kaluarën, këta punonjës janë kompensuar më vonë për ditët e humbura. Megjithatë, sipas administratës Trump, nëse mbyllja vazhdon, disa prej tyre mund të pushohen përfundimisht nga puna.

Një tjetër votim për masën e përkohshme të financimit të propozuar nga republikanët pritet të zhvillohet të premten.