Presidenti Donald Trump ka reaguar ndaj vendimit të Gjykatës së Lartë për mbylljen e platformës TikTok. Trump është shprehur se vendimi për zbatimin e ndalimit të TikTok do të varet nga ai, shkruan CNN.

“Përfundimisht vendimi varet nga unë. Ju do të shihni se çfarë do të bëj,” theksoi Trump.

Gjykata e Lartë ka mbështetur ligjin që mund të ndalojë aplikacionin nëse nuk shitet nga pronari deri të dielën.

Gjykata argumentoi se rreziku për sigurinë kombëtare i shkaktuar nga lidhjet me Kinën tejkalon shqetësimet për kufizimin e lirisë së shprehjes nga aplikacioni ose 170 milionë përdoruesit e tij në Shtetet e Bashkuara, raporton AP.

Ndërkohë, presidenti ende në detyrë, Joe Biden, ka thënë se nuk do ta zbatojë ndalimin për ditët e mbetura që ai është në detyrë, duke ia lënë në dorë Donald Trump të vendosë se çfarë të bëjë kur të hyjë në Shtëpinë e Bardhë të hënën.

Ndërkohë, disa anëtarë të Kongresit kanë sugjeruar që TikTok mund të ketë nevojë për më shumë kohë për të gjetur një blerës, gjë që mund ta shtyjë Trump-in të kërkojë shtyrjen e ndalimit.

Ligji i jep presidentit mundësinë ta zgjasë ndalimin me 90 ditë, por për ta bërë këtë, duhet të ketë prova se palët që punojnë për blerjen kanë bërë përparime të rëndësishme, përfshirë marrëveshje ligjore të detyrueshme për një marrëveshje të tillë. Megjithatë, kompania mëmë e TikTok-ut, ByteDance, nuk ka përditësuar publikisht qëndrimin e saj se aplikacioni nuk është në shitje.