Astronautët e NASA-s që janë pjesë e misionit Artemis II kanë përjetuar emocione të rralla gjatë fluturimit historik rreth Hëna, duke sjellë pamje të reja dhe të papara më parë nga sipërfaqja e saj.

Gjatë udhëtimit me kapsulën Orion, ekuipazhi ka fotografuar krateret dhe strukturat shkëmbore të Hënës, ndërsa nga dritaret kanë vëzhguar edhe fenomene spektakolare si ngritja e Tokës mbi horizontin hënor dhe një eklips diellor. Një nga zbulimet më interesante ishte vëzhgimi i zonës Orientale, një formacion gjigant me diametër rreth 950 kilometra, që deri më tani nuk ishte parë drejtpërdrejt nga njeriu.

Astronautët raportuan gjithashtu ngjyra të pazakonta në sipërfaqen hënore, përfshirë nuanca kafe, jeshile dhe portokalli, duke sfiduar perceptimin tradicional të një peizazhi thjesht gri.

Pas përfundimit të orbitës rreth anës së largët të Hënës, katër astronautët janë nisur tashmë në rrugën e kthimit drejt Tokës. Faza më kritike e misionit pritet gjatë hyrjes në atmosferë, ku kapsula do të përballet me temperatura ekstreme dhe shpejtësi që arrijnë deri në 30 mijë kilometra në orë. Mburoja termike e Orionit do të jetë vendimtare për mbijetesën e ekuipazhit, pasi çdo defekt mund të ketë pasoja fatale.

Para uljes, moduli i ekuipazhit do të ndahet nga pjesa tjetër e anijes, ndërsa sistemi i parashutave do të aktivizohet në disa faza për të siguruar një zbritje të kontrolluar në oqean, pranë brigjeve të San Diego.

Misioni Artemis II përfaqëson rikthimin e njerëzimit në orbitë rreth Hënës pas më shumë se 50 vitesh, duke hapur rrugën për misionet e ardhshme që synojnë ndërtimin e një pranie të qëndrueshme njerëzore në Hënë dhe më tej, eksplorimin e Mars.