Prokurorja në Uashington ka publikuar një video që tregon Cole Allen duke qëlluar ndaj agjentëve të Shërbimit Sekret të SHBA-së, gjatë përpjekjes së tij për t’iu afruar dhe për të vrarë presidentin Donald Trump në darkën e korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë.
Pamjet, të regjistruara në hotelin Washington Hilton që priti aktivitetin të shtunën e kaluar, tregojnë autorin 31-vjeçar duke shkelur masat e sigurisë dhe duke vrapuar në korridore me armë në dorë.
Në video përfshihen edhe fragmente të tjera ku Allen shihet duke lëvizur brenda hotelit një ditë para të shtënave.
Në një moment, ai depërton përmes pikës së kontrollit të sigurisë duke qëlluar një agjent të Shërbimit Sekret që ndodhej në anën e djathtë të tij.
Agjenti i qëlluar kundërpërgjigjet me armë ndërsa më pas bie në tokë, pasi u plagos në gjoks, por shpëtoi falë jelekut antiplumb.
Forca të tjera të sigurisë hapën menjëherë zjarr në drejtim të Allen, ndërsa ai vazhdonte të vraponte drejt sallës së pritjeve, ku ndodheshin Trump, bashkëshortja e tij, zëvendëspresidenti Vance dhe zyrtarë të tjerë.
Sipas Fox, prokurorët ishin përgatitur të paraqisnin videon gjatë seancës për masën e sigurisë të enjten në mëngjes, për të provuar se Allen përbën rrezik për komunitetin. Megjithatë, mbrojtja ndryshoi strategji dhe pranoi paraburgimin e tij.
Cole Allen përballet me tre akuza federale: tentativë për vrasjen e presidentit, transportim të një arme zjarri përtej kufijve të shtetit dhe përdorim të armës gjatë një akti kriminal. Nëse shpallet fajtor, ai mund të dënohet deri me burgim të përjetshëm.


