Ka ndërruar jetë në moshën 93-vjeçare fizikani i njohur belg, François Englert, fitues i Çmimit Nobel dhe një nga mendjet që revolucionarizuan shkencën moderne.

Lajmi u bë i ditur nga Universiteti i Lirë i Brukselit (ULB), ku ai kishte kontribuar për dekada me radhë. Sipas njoftimit zyrtar, Englert ndërroi jetë më 18 qershor 2026 në Ukkel.

François Englert konsiderohet si një nga “arkitektët” e teorisë që çoi në zbulimin e bozonit Higgs, grimca që shpjegon se si materia fiton masë dhe që përbën një nga shtyllat kryesore të Modelit Standard në fizikë.

Në vitin 2013, ai u nderua me Çmimin Nobel për Fizikë së bashku me britanikun Peter Higgs, me të cilin kishte hedhur bazat teorike që në vitin 1964. Zbulimi i shumëpritur i kësaj grimce u konfirmua në vitin 2012 në laboratorin CERN në Zvicër.

“Me dhimbje të thellë mësuam për ndarjen nga jeta të François Englert. Ai ishte një figurë e jashtëzakonshme e fizikës teorike dhe la pas një trashëgimi të pashlyeshme shkencore”, thuhet në reagimin e universitetit.

I lindur më 6 nëntor 1932 në Bruksel, Englert i kushtoi mbi shtatë dekada jetës së tij kërkimit shkencor. Fillimisht ai studioi inxhinieri civile, përpara se të përqendrohej në fizikën teorike, ku edhe u bë një nga emrat më të rëndësishëm në botë.

Gjatë karrierës së tij, ai bashkëpunoi ngushtë me fizikanin Robert Brout, me të cilin formuloi mekanizmin e njohur si “Brout–Englert–Higgs”, një nga zbulimet më të mëdha të shekullit XX.

Pas marrjes së Nobelit, Englert theksonte se kërkimi i tij kishte si qëllim “të kuptuarit racional të botës”, duke nënvizuar rolin thelbësor të shkencës në ndërtimin e një shoqërie të përparuar.

Jeta e tij u ndikua edhe nga Lufta e Dytë Botërore, kur si pjesë e një familjeje hebreje u detyrua të fshihej për t’i shpëtuar pushtimit nazist në Belgjikë.

Për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në shkencë, François Englert ishte nderuar edhe me titullin “Baron” nga mbreti i Belgjikës.