Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, ka shprehur nderimin e saj për ikonën e modës Giorgio Armani, pas lajmit për ndarjen e tij nga jeta në moshën 91-vjeçare.

Përmes rrjeteve sociale, Meloni shkroi: “Giorgio Armani na la në moshën 91 vjeç. Me elegancën, maturinë dhe kreativitetin e tij, ai i solli prestigj modës italiane dhe frymëzoi të gjithë botën. Një ikonë, një punëtor i palodhur, një simbol i më të mirës së Italisë. Faleminderit për gjithçka.”

Armani, i lindur më 11 korrik 1934 në Piacenza, konsiderohet një nga stilistët më të mëdhenj të historisë, duke revolucionarizuar modën italiane dhe botërore. Ai filloi karrierën e tij në Milano dhe themeloi markën e tij ikonike në vitin 1975, duke u bërë simbol i elegancës, minimalizmit dhe sofistikimit italian.