Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump dhe themeluesi i Tesla-s, Elon Musk, u ribashkuan në funeralin e Charlie Kirk të dielën, disa muaj pas grindjes së tyre publike.

Mediat e huaja kanë publikuar video nga ky moment, ku shihet miliarderi teksa i shtrëngoi duart me Trump në hapësirën e dedikuar për ta brenda “State Farm Arena” në Glendale, Arizona, ndërsa më shumë se 60,000 të pranishëm i thanë lamtumirë ndikuesit konservator.

Trump dhe Musk folën për një moment të shkurtër përpara se të ndaheshin, shkruan “Daily Mail”.

Ekspertja e transkriptimit të buzëve, Nicola Hickling, zbuloi se Trump e pyeti “si je?” ndërsa iu drejtua Musk për ta përshëndetur.

Themeluesi i Tesla-s më pas dukej sikur ngriti supet ndërsa Trump tha: “Pra, Elon, kam dëgjuar që doje të flisnim”.

Me kreun e UFC-së, Dana White, që iu bashkua bisedës, Trump sugjeroi: “Le të përpiqemi të gjejmë një mënyrë për t’u rikthyer në rrugën e duhur”.

Musk përgjigjet duke tundur kokën. Presidenti më pas i afron dorën dhe i thotë: “Më ke munguar”.

Miliarderi është përfshirë në një seri sulmesh në mediat sociale që nga qershori i vitit 2025, kur la rolin e tij si kreu i Departamentit të Efikasitetit të Qeverisë (DOGE).

Biznesmeni sulmoi Trumpin për Aktin ‘One Big Beautiful Bill’, një legjislacion historik për administratën e tij të dytë. Musk paralajmëroi se kjo mund t’u kushtojë taksapaguesve miliarda dhe të rrisë borxhin qeveritar.