Sulmi i armatosur në shkollën fillore “Vladislav Rybnikar” në Beograd ishte planifikuar paraprakisht nga nxënësi 14-vjeçar.

Kështu ka njoftuar në një konferencë për mediat komandanti i departamentit të policisë së Beogradit , Veselin Miliq. Komandanti tha se në shtëpinë e autorit u gjet një listë me emrat e nxënësve që donte të vriste, si dhe mësuesit të historisë. U gjet edhe një plan i shkollës. Data e sotme është zgjedhur nga autori pasi sot klasa e tij në orën e dytë ka pasur mësimin e Historisë dhe salla ku zhvillohet mësimi është shumë pranë hyrjes.

Shefi i policisë tha se nxënësi përdori pistoletën e babait të tij dhe ndërroi tre karikatorë gjatë sulmit. Hetuesit thanë se nxënësi fillimisht qëlloi rojen në hyrje të shkollës, duke e plagosur për vdekje. Më pas ai qëlloi dhe vrau dy nxënëset që ishin në hollin e ndërtesës, ndërroi karikatorin dhe hyri në klasën e Historisë dhe pasi qëlloi mësuesin, hapi zjarr ndaj shokëve të klasës. Ai doli në oborrin e shkollës ku kishte nxënës të klasave të reja, ndërroi sërish karikatorin, por policia ndërhyri dhe e ndaloi.

Rikujtojmë se gjatë sulmit të armatosur në shkollën fillore Vladislav Ribnikar” në Beograd mëngjesin e sotëm janë vrarë tetë nxënës dhe roja i shkollës. Një mësues dhe katër nxënës të plagosur rëndë po trajtohen në një spital në kryeqytetin serb. Autori i sulmit është 14 vjeç dhe është në klasën e 7-të të kësaj shkolle. Babai i tij u arrestua dhe u mor në pyetje, ndërsa tha se armët i mbante në një kasafortë, e cila ishte i siguruar me bravë dhe një kod të veçantë.

Në Serbi është shpallur tri ditë zie, ndërsa sot janë mbyllur të gjitha shkollat ​​në Beograd.