Autoritetet greke kanë nisur një hetim paraprak lidhur me një video ku kreu i partisë “MeRA25”, Janis Varufakis, pranon se ka përdorur lëndë narkotike.
Gjatë hetimit do të shqyrtohet nëse është kryer vepra penale e nxitjes ose reklamimit të përdorimit të drogave, apo ndonjë vepër tjetër penale. Videoja është dërguar pranë organeve të prokurorisë nga Shërbimi për Luftën Kundër Drogës i Policisë Greke. Në intervistë, Varufakis ka ndarë përvoja personale nga kontakti i tij me substanca narkotike, teksa thotë se ka provuar ekstazi një herë në jetën e tij dhe se ka përdorur kanabis.
“Kam marrë substanca, si mund të mos kem marrë. Nuk jam si Bill Clinton që tha ‘I don’t inhale’ (Nuk kam thithur). Jam paksa i mërzitshëm, për fat të keq. Kam marrë ecstasy një herë dhe ishte një përvojë e jashtëzakonshme, efekti zgjati deri pas dy ditësh. Më pas pata një migrenë të tmerrshme, nuk e di çfarë më kishin dhënë. Ishte në Sidnei dhe e mbaj mend si një moment shumë të rëndësishëm, në vitin 1989. Kërceva për 15-16 orë pa u ndalur, por vuajta për një javë më pas dhe nuk e përdora më kurrë”, rrëfeu ai.
Në të njëjtin kontekst, Varufakis thekson se substanca që i është dukur dhe vazhdon t’i duket më e këndshme është kanabisi.
“Për mua, ajo që ishte shumë e këndshme dhe mbetet e tillë, edhe pse tani nuk e gjej më dhe askush nuk ma jep, është bari i thjeshtë. Kur je i dehur nga droga, egoja zmadhohet”
Në një pyetje tjetër, Varufakis u pyet se me kë nga Angela Merkel, Aleksis Tsipras, Adonis Georgiadis dhe Kyriakos Mitsotakis do të pinte një “cigare holandeze”, duke u përgjigjur:
“Me Angelën, çfarë pyetjeje është kjo? Do të doja ta shihja të droguar. Kur je i droguar, egoja jote zmadhohet. E imagjinoni kështu Mitsotakisin? Mendoj se ishte diçka si Android dhe do të doja ta shihja këtë Android të droguar”.
Gjithashtu, Varufakis u pyet nëse do t’i jepte këshilla vajzës së tij për përdorimin e substancave, duke u shprehur:
“Së pari, vajza ime nuk pranon këshilla nga unë. I ka bërë të gjitha dhe nuk ka nevojë për këshillat e mia. Kur prindërit u thonë fëmijëve ‘mos e bëj këtë’, ata do ta bëjnë. Nuk më shqetëson eksperimentimi, më shqetëson varësia”.


