Në Beograd u zhvillua paradë ushtarake, ndërsa në vend po vazhdojnë protestat masive antiqeveritare, të nxitura nga vdekja tragjike e 16 personave në një aksident në Novi Sad nëntorin e vitit të kaluar. Parada u mbajt nën vëzhgimin e presidentit serb Aleksandar Vuçiç dhe në të morën pjesë mijëra ushtarë dhe armatime të ndryshme, duke përfshirë autoblinda, avionë luftarakë MiG-29, bombardues “Shqiponja”, avionë transportues “Supergaleb” dhe stërvitorë “Lasta”. Në fund të paradës, anëtarët e Brigadës së 63-të të Parashutistëve kryen edhe një kërcim me parashutë.

Ndërsa protestat kundër qeverisë vijojnë, zyrtarët serbë mohuan që kjo paradë të ketë pasur motive politike, duke pasur për të sloganin “Forca e Unitetit”. Një grup qytetarësh, të thirrur nga studentët protestues, u mblodhën për të shprehur mbështetje ndaj ushtrisë, por policia nuk i lejoi të afrohen pranë paradës.

Në paradë nuk u panë figura të mëdha politike, por u shfaqën disa të ftuar të njohur, përfshirë presidentin e Emirateve të Bashkuara Arabe, Mohammed bin Zayed, anëtarin e familjes mbretërore të Bahreinit, Nasser bin Hamad, aktorin Steven Seagal, dhe ish-presidentin e entitetit serb të Bosnjës, Millorad Dodik.

Në rrugët e Beogradit, ndërsa kalonin mjetet luftarake, qytetarët dhe disa studentë, të rrethuar nga policia, brohorisnin “Ushtria dhe studentët” duke përshëndetur ushtarët. Situata ishte e qetë dhe pa incidente./ REL