NATO ka nisur operacionin “Roja Lindore”, me qëllim forcimin e mbrojtjes së krahut lindor të aleancës, pas shkeljes së hapësirës ajrore të Polonisë nga dronë rusë.

Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Polake publikoi pamje ku shihet një avion francez A400 duke u ulur në aeroportin Minsk Mazowiecki, i cili transportoi armatim për avionët luftarakë Rafale tashmë të dislokuar në territorin polak.

Incidenti u regjistrua pasi 19 dronë rusë kaluan në hapësirën ajrore të Polonisë, duke shkaktuar dëme materiale. Disa prej tyre u rrëzuan nga mbrojtja ajrore, ndërsa të tjerë ranë në fusha dhe një prej tyre goditi një banesë.

Varshava e ka cilësuar ndërhyrjen si të qëllimshme dhe një provokim të rrezikshëm, ndërsa Moska ka tentuar të minimizojë ngjarjen. Autoritetet polake e kanë përshkruar këtë si incidentin më të rëndë të këtij lloji që nga shpërthimi i luftës në Ukrainë.

Kryeministri Donald Tusk deklaroi se Polonia po përballet me “situatën më të rrezikshme që nga Lufta e Dytë Botërore”, duke theksuar nevojën për një përgjigje të fortë nga aleanca.