Një polemikë e fortë ka shpërthyer në skenën politike italiane pas deklaratave të sekretarit të përgjithshëm të sindikatës CGIL, Maurizio Landini, i cili gjatë një interviste televizive e cilësoi kryeministren Giorgia Meloni si “kortigjane”.
Reagimi i Melonit erdhi menjëherë në rrjetet sociale, ku ajo akuzoi Landinin për përdorimin e një termi fyes me natyrë seksiste. “Nëse dikush nuk e di kuptimin më të zakonshëm të fjalës ‘kortigjane’, po e sqaroj unë: do të thotë prostitutë. Kjo është e majta që na ka bërë moral për vite me radhë për respektin ndaj grave dhe sot më fyen për mungesë argumentesh”, shkroi Meloni, duke publikuar edhe përkufizimin e fjalës nga fjalori zyrtar.
Nga ana tjetër, Landini mohoi se kishte synim ofendues personal. Nëpërmjet një deklarate për shtyp, ai sqaroi se fjala ishte përdorur në kuptimin politik, duke iu referuar afërsisë së Melonit me presidentin amerikan Donald Trump. “Nuk ka asnjë fyerje seksiste dhe as mllef personal. Ishte kritikë politike, jo personale”, tha ai.
Përplasja ka ndezur debat të gjerë në Itali, duke rikthyer në qendër të vëmendjes temën e gjuhës së urrejtjes në diskursin politik dhe përdorimit të stereotipeve gjinore ndaj grave në pozicione pushteti.