Në librin e saj të ri, “107 Days”, që pritet të publikohet më 23 shtator, ish-nënpresidentja Kamala Harris hedh dritë mbi tensionet e padeklaruara publikisht mes saj dhe ish-presidentit Joe Biden, duke zbuluar prapaskena tronditëse nga fushata zgjedhore e vitit 2024.

Në një prej fragmenteve të publikuara nga The Guardian, Harris tregon se vetëm pak kohë përpara se të përballej në debat me Donald Trump, ajo mori një telefonatë të papritur dhe shqetësuese nga vetë Biden. Gjatë bisedës, Biden nuk i dha vetëm një mesazh mbështetës por edhe një paralajmërim të ngarkuar emocionalisht, që sipas saj ishte i pavend dhe destabilizues.

“Më telefonoi për të më uruar fat… dhe për të më qortuar,” shkruan Harris. Biden i kishte transmetuar shqetësime që kishte marrë nga vëllai i tij, lidhur me ndërmjetës të fuqishëm në Filadelfia që dyshohej se nuk do ta mbështesnin Harrisin për shkak të deklaratave të saj të mëparshme.

Sipas saj, kjo telefonatë e la të “hutuar, të zemëruar dhe të zhgënjyer”. Ishte një moment vendimtar në karrierën e saj, dhe në vend që të merrte mbështetje, ndjeu se Biden po e “shpërqendronte me drama të panevojshme”.

Harris gjithashtu kritikon mënyrën se si u mor vendimi për të kandiduar në zgjedhjet e vitit 2024. “‘Është vendimi i Joe dhe Jill’… E përsërisnim si një mantër. Tani mendoj se nuk ishte hir, por pamaturi,” shkruan ajo. Sipas saj, rreziqet ishin shumë të larta për ta lënë këtë zgjedhje në duart e vetëm dy njerëzve.

Një tjetër zbulim i rëndësishëm është fakti që Pete Buttigieg ishte kandidati i preferuar i Harris për zëvendëspresident, jo guvernatori i Minesotës Tim Walz, siç u raportua më vonë. Megjithatë, ajo e cilësoi këtë zgjedhje si “shumë e rrezikshme politikisht”, duke thënë se fushata tashmë po i kërkonte shumë elektoratit: të pranonin një grua me ngjyrë, të martuar me një burrë hebre dhe nëse do të shtohej edhe një kandidat homoseksual, mund të ishte shumë për votuesit.

Në kulmin e stresit, i vetmi që duket se i qëndroi afër ishte bashkëshorti i saj, Doug Emhoff, i cili e këshilloi: “Lëre të kalojë”, për ta ndihmuar të fokusohej përballë Trumpit në debat.