Media britanike Daily Mail ka ngritur shqetësimin se në Ukrainë po veprojnë disa banda kriminale që po përfitojnë nga lufta dhe vala e refugjatëve, për të trafikuar vajza dhe gra.
Më shumë se një milion njerëz, kryesisht gra dhe fëmijë, janë larguar nga vendi që nga pushtimi i javës së kaluar, në disa raste duke përdorur “transportin falas”, i cili është karremi që përdorin trafikantët për t’i mashtuar.
Zyrtarët e Bashkimit Evropian dhe Kombet e Bashkuara kanë frikë se deri në shtatë milionë njerëz mund të kalojnë në vendet fqinje si Polonia, Moldavia, Rumania, Sllovakia dhe Hungaria, të cilat sipas aktivistëve do të krijojnë një ‘rritje shqetësuese në trafikimin e qenieve njerëzore’.
Një grua 27-vjeçare ukrainase tha: “E dëgjova nga një shoqe që kaloi në Poloni, e cila më tha se ajo shkoi me një djalë që i tha se do ta çonte në Varshavë falas, por kur arritën atje ai kërkoi para. U bë agresiv dhe i tha se do të duhej ta paguante duke punuar për të”.
Daily Mail raporton se në kufi janë konstatuar disa grupe burrash në kufi që mbajnë tabela të cilat ofrojnë “transport falas”.