Ali Larijani, sekretari i Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare të Iranit, është vrarë në një sulm të synuar, njofton agjencia iraniane e lajmeve Fars News Agency.
Më parë, ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Israel Katz, kishte deklaruar se Laridjani “u vra” gjatë një operacioni të planifikuar për neutralizimin e tij. Laridjani lindi në vitin 1958 në Najaf, në një familje të pasur nga Amoli, dhe i përkiste një dinasti të fuqishme që Time magazine e përshkroi njëherë si “Kennedy-t e Iranit”.
Babai i tij ishte një studiues i shquar fetar dhe në moshën 20-vjeçare, Larijani u martua me Faride Motahari, vajzën e një besniku të ngushtë të themeluesit të Republikës Islamike, Ruhollah Khomeini. Ndryshe nga shumë bashkëmoshatarë, ai kishte dije shkencore dhe akademike të gjerë, duke përfunduar një diplomë në Matematikë dhe Shkencën e Kompjuterëve dhe më pas doktoraturën në Filozofinë Perëndimore me fokus te Immanuel Kant.
Pas revolucionit të vitit 1979, ai u bashkua me IRGC (Islamic Revolutionary Guard Corps) përpara se të hynte në qeveri, ku shërbeu si ministër i Kulturës dhe më pas si drejtues i mediave shtetërore IRIB. Në vitin 2005 u bë sekretar i Këshillit të Lartë të Sigurisë Kombëtare dhe negociator kryesor i Iranit për çështjet bërthamore, nga ku dha dorëheqjen në 2007.
Ai u bë anëtar i parlamentit në 2008 dhe shërbeu si kryetar i tij për tre mandate radhazi, duke luajtur rol kyç në sigurimin e miratimit të marrëveshjes bërthamore të vitit 2015. Larijani u rikthye në postin e sekretarit të Këshillit të Sigurisë në gusht 2025, duke marrë një rol qendror në udhëheqjen e vendit.



