Deklarata
Qeveria e Meksikës po thotë se ka arritur një fitore të rëndësishme në luftën kundër drogave të paligjshme dhe bandave të dhunshme kriminale, pasi marinsët meksikanë vranë këto ditë udhëheqësin e bandës së njohur si “Los Zetas”. Por analistët thonë se lufta e dhunshme kundër drogës në Meksikë është ende larg përfundimit.
Autoritetet meksikane kanë publikuar fotografi në internet të trupit të një burri, për të cilin thonë se ishte udhëheqësi i bandës më brutale të vendit, “Los Zetas”. Marinsët meksikanë, të cilët kryen operacionin që çoi në vrasjen e tij, thonë se shenjat e gishtërinjve dhe analizat e kriminalistikës provojnë se personi që ata vranë ishte 37-vjeçari Heriberto Lazcano, një ish-ushtar, i cili e udhëhoqi bandën dhe që është i njohur për taktikat e tij të stilit ushtarak dhe për dhunën e tmerrshme.
Vrasja e kreut të “Zetës” ishte një fitore madhore për Presidentin Felipe Calderon, ndërsa ai përgatitet të largohet nga posti në dhjetor. Analistët thonë se lufta kundër kontrabandistëve që ai filloi kundër bandave kriminale, pasi erdhi në pushtet 6 vjet më parë, është veprimi më i rëndësishëm i presidencës së tij. Më tepër se 60 mijë vetë kanë vdekur gjatë dhunës që lidhet me luftën kundër drogës. Në këtë luftë, ushtarë dhe forca policore meksikane përleshen me bandat e drogës.
Një nga ekspertët kryesorë amerikanë për Meksikën, George Grayson i kolegjit “William & Mary” në Virxhinia, ka shkruar shumë për luftën kundër drogës. Grayson botoi një libër me temën e luftës kundër drogës. Ai thotë se vdekja e Lazcanos mund të shkaktojë dhunë të mëtejshme, ndërsa udhëheqësit e rinj marrin drejtimin dhe luftëtarë të rinj konkurrojnë për të marrë pozita drejtuese në organizatën e strukturuar mirë.